Njoftohet evakuim i menjëhershëm në Durrës, përmbytjet shkaktojnë viktimën e parë
Përmbytjet nga moti i keq kanë detyruar autoritetet të urdhërojnë evakuime të reja, ndërsa në Durrës raportohet viktima e parë.

Bashkia e Durrësit ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve në disa zona pas përkeqësimit të situatës së krijuar nga përmbytjet. Moti i keq vijon të mbetet problematik në qarqet Vlorë, Fier, Durrës dhe Lezhë, ndërsa dalja nga shtrati e lumenjve ka sjellë rrezik serioz për jetën dhe pronën e qytetarëve.
Në jug të vendit, lumi Vjosa ka dalë nga shtrati dhe po rrezikon drejtpërdrejt Novoselën dhe fshatin Ferras në Fier, ku ka nisur evakuimi i banorëve. Në këto zona janë raportuar përmbytje të tokave bujqësore dhe banesave. Ndërkohë, në Durrës, lumi Erzen ka dalë nga shtrati duke rrethuar toka dhe banesa me ujë, çka ka detyruar autoritetet të japin urdhër evakuimi edhe për Njësinë Administrative Sukth dhe zonën e Katundit të Ri.
Situata tragjike ka sjellë edhe viktimën e parë nga moti i keq. Një 54-vjeçar në Durrës ka humbur jetën pasi u mor nga rrjedha e ujit. Në veri të vendit, reshjet e shiut janë zëvendësuar nga bora, ndërsa deri më tani nuk raportohen problematika serioze.
Urdhri zyrtar për evakuim të menjëhershëm
Si pasojë e përmbytjeve dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, në zbatim të ligjit për Mbrojtjen Civile, Planit Kombëtar dhe Planeve Vendore të Emergjencave Civile, është urdhëruar evakuimi i menjëhershëm i banorëve të Bashkisë Durrës, konkretisht në Njësitë Administrative Sukth dhe Katund i Ri. Evakuimi do të realizohet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefektin e Qarkut dhe strukturat vendore të emergjencave civile.
Sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin e bashkisë. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që çdo komunikim dhe kërkesë për ndihmë ta drejtojnë pranë strukturave publike në terren.
Prioritet gjatë procesit të evakuimit u jepet fëmijëve, të moshuarve, personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve që ndodhen në zona të izoluara. Transporti për evakuimin e banorëve do të sigurohet nga mjetet e bashkisë, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, si edhe nga Forcat e Armatosura.
Strehimi dhe asistenca për të evakuuarit
Menaxhimi i strehimit dhe asistencës për qytetarët e evakuuar do të realizohet nga Bashkia e Durrësit, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, njësitë e kujdesit shëndetësor dhe strukturat e shërbimeve sociale, sipas nevojës. Në kuadër të këtij procesi do të kryhet regjistrimi i të evakuuarve në momentin e mbërritjes në ambientet e strehimit të përkohshëm, administrimi i nevojave bazë si ushqimi, veshmbathja dhe ndihma mjekësore, si edhe ofrimi i informacionit periodik mbi zhvillimin e situatës dhe masat në vijim.
Njoftimi ka karakter urgjent dhe hyn në fuqi menjëherë. Për çdo situatë emergjente, qytetarët ftohen të kontaktojnë numrin e emergjencave dhe të bashkëpunojnë me autoritetet.
Burimi: Shqiptarja
Më të lexuarat






